Dje në hapësirat e Qeverisë së RMV u mbajt një takim pune i dedikuar për avancimin e pozitës së veprimtarisë farmaceutike dhe integrimin e saj në sistemin shëndetësor.
Në takim morën pjesë faktorë kyç në politikat shëndetësore: dr. Risto Simeonov, koordinator nacional për shëndetësi, mr. Vesna Stavrova, kryetare e Odës Farmaceutike, prof. Dr. Katerina Stavriq nga Katedra e Mjekësisë Familjare, Biljana Bozhinovska, përfaqësuese e Shoqatës së barnatoreve private, si dhe Snezhana Trpovska, këshilltare për mbrojtje sociale në Qeverinë e RMV, Lidija Cvetanoviq, këshilltare shtetërore në Sekretariatin e Përgjithshëm të Qeverisë së RMV dhe koordinatore e ekipit ekspert për hartimin e Strategjisë për Transparencë të Qeverisë, plan veprimi (2023–2026).

Diskutimi ishte i fokusuar në disa aspekte kyçe:
- Forcimi i rolit të farmacistëve
Farmacistët janë shtyllë kyçe në mbrojtjen shëndetësore, ndërsa ekspertiza e tyre mund të shfrytëzohet më tej për përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor për çdo qytetar.
- Barnatoret si institucione shëndetësore më të qasshme
Këto institucione janë linja e parë e mbështetjes shëndetësore për qytetarët. Roli i tyre mund të zgjerohet përtej shpërndarjes tradicionale të barnave.
- Futja e shërbimeve të reja parandaluese
U diskutua për implementimin e shërbimeve që do të mundësojnë monitorim më të mirë, parandalim dhe rezultate nga trajtimet, gjë që ndikon drejtpërdrejt në rezultatet shëndetësore te pacientët.
- Përmirësimi i sigurisë së pacientëve
Përmes kujdesit farmaceutik dhe zvogëlimit të komplikimeve nga përdorimi i parregullt i barnave, përmirësohet siguria dhe efikasiteti i terapive.
Vizion i përbashkët
Kemi të njëjtin qëllim: sistem shëndetësor më efikas dhe rezultate më të mira për pacientët. Profesioni farmaceutik është i gatshëm të marrë barrë më të madhe në mbrojtjen shëndetësore, duke kontribuar në lehtësimin e sistemit dhe duke mundësuar kontroll më të saktë të shpenzimeve dhe terapive.
Ky takim paraqet një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të mbrojtjes shëndetësore, ku çdo profesionist do të punojë sipas kapaciteteve të tij maksimale për të mirën më të madhe të pacientëve.
Oda Farmaceutike mbetet partner i përkushtuar në krijimin e një sistemi shëndetësor bashkëkohor, të qëndrueshëm dhe të orientuar ndaj pacientit, në të cilin farmacisti ka rol aktiv dhe të dukshëm në kujdesin për shëndetin publik.

