RECETA ELEKTRONIKE – PËRFITIM I MADH PËR PACIENTËT, MJEKËT DHE FARMACISTËT
Rritja e çmimit të shërbimeve në barnatore, futja e recetës elektronike, njohja e faturave të barnatoreve në rastet e sigurimit retrospektiv të të siguruarve, si dhe zgjerimi i listës së shërbimeve që kryhen në barnatore, ishin temat e takimit të përfaqësuesve të Odës Farmaceutike të RMV-së, spec. Farm. Vesna Stavrova dhe të Shoqatës së Farmacive Private të RMV-së, mr. Farm. Xhoana Andonovska, me drejtorin e Fondit për Sigurim Shëndetësor të Maqedonisë, Sasho Klekovski.
Në takim, fillimisht u hap çështja e rritjes së çmimit për shërbimin e lëshimit të ilaçeve me recetë, ku drejtori i Fondit u pajtua se një korrigjim i tillë është vërtet i nevojshëm dhe u ra dakord që bisedimet në këtë drejtim të vazhdojnë. Oda prezantoi një analizë dhe metodologji për përllogaritjen e çmimit të shërbimit për lëshimin e recetave.
Duke prekur temën e recetës elektronike, u theksua se ajo do të jetë një përfitim i madh për farmacistët në barnatore, për mjekët amë, por para së gjithash për pacientët. Zbatimi i saj do të mundësojë receta pa letër, si dhe sinkronizim automatik të softuerëve te mjekët amë dhe farmacitë në rast ndryshimesh në Fond, si për shembull futja e një ilaçi të ri.
Përfaqësueset farmaceutik, në bisedën me Klekovskin, hapën edhe çështjen për gjetjen e një zgjidhjeje për tejkalimin e problemit me mosnjohjen e recetave nga barnatoret për ilaçe të lëshuara në rastet e çregjistrimit retrospektiv të të siguruarve. Të dy palët u pajtuan se është urgjente të gjendet një zgjidhje për këtë problem. Kjo do t’u mundësojë personave, të cilëve u ka pushuar baza e sigurimit, të përfitojnë nga të drejtat e sigurimit të detyrueshëm shëndetësor edhe për periudhën e kontestuar ligjërisht të garantuar, ndërkohë që barnatoret nuk do të dëmtohen financiarisht. Besohet se ky problem do të zgjidhet me futjen e recetës elektronike.
Drejtori i Fondit, Klekovski, shprehu mbështetje të pakushtëzuar për ndryshimet në Ligjin për Mbrojtje Shëndetësore, me të cilat farmacistëve do t’u jepet mundësia të zgjerojnë listën e shërbimeve që mund të ofrohen në barnatore, e që kanë të bëjnë me veprim parandalues dhe trajtimin e disa sëmundjeve. Bëhet fjalë për shërbime që prej kohësh janë futur në vende të tjera, si matja e sheqerit, matja e tensionit të gjakut, kryerja e testeve që konfirmojnë disa diagnoza, dhe që do të integrohen me sukses në sistemin tonë shëndetësor, sidomos pasi nuk do të shkaktojnë ndonjë ndërhyrje në listën e shërbimeve shëndetësore që ofrojnë punonjësit e tjerë shëndetësorë.